Untitled-1_1.jpg

Magjistari i Ozit
Dorotia jetonte në thellësi të Kansasit, me Xhaxha Henrin dhe Teta Emin. Kasollja e tyre kishte vetëm një dhomë. Xhaxha Henri dhe Teta Emi flinin në një shtrat të madh në një anë të saj, ndërsa Dorotia në një shtrat të vogël në anën tjetër. Nën dysheme, kishte dhe një bodrum të mbuluar me një kapak druri, ku strehoheshin kur frynin stuhi të mëdha. Dorotia kishte edhe një qen që e quanin Toto që e ndiqte pas kudo që shkonte. Një ditë moti u prish dhe u shfaq një tornado e madhe. Teto Emi i la punët dhe u shfaq në derë.
-Doroti, shpejt në bodrum! Dorotia vrapoi të merrte edhe Toton, por kasollja u rrotullua dy apo tre herë dhe u ngrit lart në ajër. Dorotisë i dukej sikur po fluturonte në një balonë që e çonte gjithnjë e më larg. Pas pak, moti u qetësua dhe kasollja u rrëzua në tokë. Dorotia që nuk kishte pësuar asgjë, shtyu me kujdes derën e kasolles fluturake. Ajo gjendej në një vend shumë të bukur. Para saj shtriheshin lëndina të gjelbërta dhe drurë hijerëndë të ngarkuar me fruta të pjekur. Ndërsa ajo kishte humbur pas pamjeve mahnitëse, tre burra të vegjël, xhuxha, të veshur me ca rroba që të habisnin dhe një grua e bukur si një shtojzovalle, u afruan pranë saj.
Munkinët i thanë Dorotisë se shtriga ishte treguar e pamëshirshme me ta. Dorotia e dëgjonte me vëmendje, por ishte e shqetësuar ngaqë nuk dinte si të kthehej në shtëpi, në Kansas. Gruaja që ishte në të vërtetë Zanëmira e veriut, hoqi këpucët nga këmbët dhe ia fali Dorotisë.
-Këto këpucë kanë fuqi magjike, -i tha Zanëmira. -Ndiq rrugën me kalldrëm të verdhë për të arritur në Qytetin Xixëllues. Atje do të takosh Magjistarin e Ozit.
Dorotia bashkë me Toton, u nisën për në Qytetin Xixëllues. Përpara u doli një dordolec që vuante sepse kishte kashtë dhe jo tru në kokë. Dorotia i tha të shkonin bashkë tek Magjistari i Ozit e t’i kërkonte ta bënte të mençur. Ata vazhduan udhën më tej dhe takuan Tinmenin, njeriun metalik. Tinmeni, njeriu metalik, vuante sepse nuk kishte zemër në gjoks. Edhe ai u bashkua me Dorotinë që të shkonin tek Magjistari i Ozit t’i kërkonte një zemër. Duke vazhduan rrugën takuan Luan Zemërlepurin. Ai ishte shumë i ndrojtur dhe i trembur.
-Eja me ne tek Magjistari i Ozit të kërkosh guximin që të mungon, -i tha Dorotia Luanit.
Edhe Luani u bashkua me ta në rrugën për në Qytetin Xixëllues. Ec e ec dhe arritën në Qytetin Xixëllues. Ishte një qytet mahnitës, me rrugë të drejta, me shtëpi të veshura me mermer të gjelbërt e të stolisura me diamantë xixëllues. Magjistari i Ozit, u tha se që të plotësonte dëshirat e tyre, ata duhej të zhduknin Shtrigën e Perëndimit. Dorotia dhe miqtë e saj, shkuan në shtëpinë e Shtrigës së Perëndimit. Kur shtrigën e zuri gjumi e flakën në një kazan që vlonte. Shtriga lëshoi ca britma të tmerrshme dhe u zhduk përgjithnjë. Ata u kthyen në shtëpinë e Magjistarit të Ozit dhe qëndruan përballë fronit të tij.
Magjistari i Ozit mund t´i falte çdokujt atë që i mungonte, por nuk e ndihmonte dot Dorotinë të kthehej në Kansas. Kur Dorotia gjendej në udhëkryq e nuk dinte nga të shkonte, para saj u shfaq Glenda, Zanëmira e Jugut.
-Trokit tri herë me takat e këpucëve magjike dhe këpucët do të çojnë atje ku ti dëshiron, -tha Glenda. Dorotia u dha një puthje lamtumire miqve të saj dhe përplasi tri herë takat e këpucëve magjike.
Dorotia u kërkoi këpucëve ta çonin në shtëpinë e Teta Emit dhe Xhaxha Henrit. Një vorbull ere e ngriti atë dhe Toton në ajër dhe sa hap e mbyll sytë, u gjendën në Kansas.
-Unë jam shumë e gëzuar që u ktheva në shtëpi, -tha Dorotia ndërsa përqafonte Teta Emin dhe Xhaxha Henrin. Teta Emi dhe Xhaxha Henri nuk po u besonin syve që e kishin përsëri mes tyre vogëlushen që e donin aq shumë.