JacknStalk.jpg

Xheku dhe bizelja magjike

Jetonte dikur një grua e varfër me djalin e saj të vetëm, Xhekun. Djali rritej e jeta e tyre rrokullisej keq e më keq. Kishin shitur gjithçka dhe u kishte mbetur lopa e vetme që u mbante gjallë shpirtin. Një ditë, mamaja e sëmurë u detyrua t’i thoshte të birit të shkonte në qytet e të shiste lopën e vetme.
Xheku takoi rrugës një plak që e pyeti se për ku nxitonte.
-Po shkoj të shes lopën, -i tha Xheku.
-Unë kam ca fara magjike që mund ta largojnë mjerimin, -tha plaku. -Po të duash i këmbejmë farat me lopën.
Xheku nuk mund ta humbiste rastin që do t’i ndryshonte jetën. Ai mori farat magjike dhe me një frymë arriti në kasollen e tij. Mamaja u çudit nga kthimi i shpejtë i të birit. Xheku i tregoi mamasë për plakun dhe për farat magjike. Kur ajo mësoi se i biri i kishte dhënë lopën për pesë fara, i iku mendja dhe i flaku farat në kopsht e bindur se plaku ia kishte hedhur Xhekut.
-Ç’na bëre more Xhek? Me çfarë do të jetojmë këtej e tutje?
Xheku, me lotët që i vareshin në faqe, u shtri në shtrat pa vënë gjë në gojë. Kur u zgjua në mëngjes nuk po u besonte syve. Pas dritares kacavirrej një bimë gjigante që zgjatej e dukej sikur po arrinte qiejt.
Xheku doli nga dritarja dhe u ngjit në bimën gjigante. Pas një farë kohe, arriti në gjethen e fundit. Mes reve u shfaq një kështjellë e madhe. Xheku kërceu nga gjethja dhe ra në oborrin e kështjellës. Një grua i tha të largohej se ajo ishte kështjella e gjigantit. Xheku i tha se kërkonte diçka për të ngrënë dhe i duhej të pushonte vetëm pak sa për t’u shlodhur. Gruas i erdhi keq për djalin dhe i tha të futej brenda. Në atë çast, në kështjellë u kthye gjiganti. Xheku me mundim arriti të fshihej. Gjiganti u vërtit me dyshim në kështjellë dhe pastaj mori një trastë e filloi të numëronte monedhat e arta. Duke numëruar e zuri gjumi.
Xheku rrëmbeu trastën me monedha të arta dhe zbriti në shkallaren e gjetheve gjigante. Mamaja nuk po u besonte syve kur Xheku lëshoi para saj trastën me monedha të arta. Disa ditë më vonë, Xheku u ngjit përsëri në kështjellën e gjigantit. Ai pa nga dritarja një pulë që lëshonte vezë të arta dhe gjigantin që mbushte kanistrën. Kur gjigantin e zuri gjumi, Xheku rrëmbeu pulën dhe u largua.
Mamaja po fluturonte nga gëzimi. Jeta e tyre kishte ndryshuar papritur dhe mjerimi i ngjante një ëndrre të keqe. Edhe një herë tjetër, Xheku u ngjit në kështjellën e gjigantit dhe desh të rrëmbente një harpë magjike që lëshonte tinguj e thurte vetvetiu melodi. Por gjiganti e ndjeu dhe e ndoqi pas. Xheku u bë erë, fluturoi në gjethet magjike dhe marramendshëm zbriti në shtëpinë e tij.
Gjiganti nuk u ngrit më. Mamaja e Xhekut mori frymë e lehtësuar.
-Ne kurrë nuk do të jemi më të varfër, -tha ajo dhe e përqafoi me dashuri të birin. Varfëria nuk trokiti më kurrë në derën e tyre.