Gabimet e veshkaushit

Rrezet e diellit hynë edhe nëpër fletët e degët e ahishtes dhe i vranë sytë lepurush veshkaushit, që po flinte akoma. U zgjua, fërkoi sytë dhe pa rreth e rrotull. Vëllezërit e motrat, tok me nënën e babin, kishin ikur me kohë. Kushedi nga hanin gjethe sallate…
Sa kujtoi sallatën, i lëshoi lëng goja. Eh, sikur të kishte edhe një gjethe të vetme sat ë mprihte dhëmbët… Po kopshtijet ishin larg dhe ai përtonte të shkonte gjer atje.
U nis ngadalë-ngadalë dhe arriti te pishat e larta. Sipër, mbi një degë, ketrush Bishtfshesa po hante stika. Veshkaushi, sa e pa, u gëlltit…
-Bishtfshesë, a vjen të luajmë bashkë?
Ketrushi e la boçen e pishës mënjanë dhe i tha:
-Së pari, më thuaj mirëmëngjesi. Së dyti, unë nuk luaj me ata që kanë frikë nga uji.
Veshkaushi u mendua për një çast:
“Pse më tha kështu Bishtfshesa? Unë notar nuk jam, po edhe nga uji nuk kam frikë.”
Tutje dikush po lëkundej mbi një kolovajzë. Veshkaushi u afrua. Ishte një iriq. E kishte kaluar litarin prej kulumbrie mbi një degë bredhi dhe si ndënjëse kishte vënë një jastëk të mbushur me fletë lofate. Eh, sa qejf që kishte Veshkaushi të lëkundej në të…
-A të vij të luaj edhe unë me ty, o Gjëmbaç? –thiri Veshkaushi.
Iriqi vazhdoi të lëkundej në shilarës dhe tha:
-Së pari, më thuaj mirëmëngjesi. Së dyti, emrin e kam Gjembashumi e jo Gjëmbaç. Të pëlqen ty të thërrasin Kaush? Dhe së treti unë nuk luaj me ata që kanë frkië nga uji.
Veshkaushi kroi kokën dhe mendoi:
“Unë marinar nuk jam, po edhe nga uji nuk kam frikë. Atëherë pse m’i thonë këto fjalë?”
Duke ecur e duke menduar, arriti në breg të lumit. Aty po lahej rosak Topolaku. Kokën e fuste në ujë e bishtin e ngrinte lart. Pastaj përplaste krahët duke ngritur qindar stërkala, që shkëlqenin në rrezen e diellit si guaskat që mbante në qafë mësuese Mjellma.
-A të vij edhe unë të eglendisemi bashkë, o Tolopak? –tha lepurushi.
Rosaku shkundi edhe një herë krahët dhe iu përgjigj:
-Së pari më thuaj mirëmëngjesi. Së dyti, mos përdor fjalë të huaja, po fol me gjuhën e nënës. Ne nuk themi “të englendisemi”, po “të luajmë”. Së treti, mëso të flasësh, se mua nuk më quajnë Tolopak, po Topolak. A të vjen mirë ty të të thërasin Kaveshush? Së katërti, unë nuk luaj me ata që kanë frikë nga uji.
Veshkaushi u bë gati të hidhej në lumë nga inati. Edhe Topolaku i that ë njëjtat fjalë si ketrushi e iriqi.
-Unë nuk kam frikë nga uji! Do që të kridhem qysh tani në lumë?
Topolaku nuk iu përgjigj fare, po u krodh në ujë duke ngritur bishtin përpjetë.
Veshkaushiiku i menduar. Pse i thoshin të gjithë. “Ke frikë nga uji?” Vrau mendjen, po nuk e gjeti…
Mësuese Mjellma i dëgjoi i dëgjoi bisedat e lepurushit me Bishtfshesën, Gjëmbashumin e Topolakun dhe i tha Veshkaushit:
-Pse nuk u thua mirëmëngjesi shokëve, Veshkaush? Pastaj ti akoma nuk ke larë sytë, si mund të luajnë ata me një shok që është i papastër?
E pa veten në ujë, sin ë pasqyrë. Sytë i kishte të buhavitur, faqet me njolla djerse dhe cepat e buzëve me shkumë të bardhë. Edhe gëzofin e kishte të zhubravitur. Sa të drejtë kishin shokët që nuk pranuan të luajnë me të! Gjersa nuk ishte larë, domethënë se kishte frikë nga uji…
Veshkaushi  uk priti më gjatë, po vrapoi te burimi. Lau sytë, faqet e veshët mirë e mirë, freskoi llërat e qafen, pastroi edhe dhëmbët me një furçë, që e kishin bërë nga halat e pishave, shkundi e shtriu edhe gëzofin, që i ishte rrudhur natën, dhe u nis të takonte Bishtfshesën. E gjeti tok me Gjembashumin dhe Topolakun duke mbledhur lule.
-Mirëmëngjesi, shokë të dashur! –thiri Veshkaushi.
-Mirëmëngjesi e mirë se erdhe! –iu përgjigjën të tre shokët.
-A mund të luaj edhe unë me ju?
-Me gjithë qejf, -i thanë ata dhe nisën të luanin së bashku.