Page+1.jpg

Luledelja
Keni dëgjuar për një luledele të vogël? Unë nuk mund ta heq nga mendja historinë e saj të dhimbshme. Ndoshta ju ka rënë në sy një shtëpi karakteristike diku buzë rrugës së madhe në të dalë të qytetit. Oborri i saj është ndarë në parcela të vogla ku rriten lule të bukura me të cilat përgatiten tufa shumëngjyrëshe për mbrëmjet e mëdha e për ngjarjet e rëndësishme. Pak më tutje parcelave me tulipanë, e lule të tjera të mëdha, kishte mbirë dhe një luledele e vogël. Sigurisht askush nuk mund ta vinte re luledelen mes barit të zakonshëm të harruar në një skaj të oborrit. Askush nga banorët e shtëpisë, mysafirët apo kalimtarët e zakonshëm nuk i kushtonte kujdes luledeles. Për luledelen nuk kishte rëndësi se ndaj saj nuk tregohej kurrfarë vëmendje apo që e shikonin si një lule mjerane që kishte çelur krejt rastësisht jo larg asaj mrekullie shumëngjyrëshe që krijonin lulet e kultivuara të kopshtit. Ndonjëherë luledelja i thoshte vetes se ngjante me një diell të vogël me rreze të shndritshme. Ishte thuajse e vetmuar dhe e kalonte vetminë e saj duke dëgjuar këngën e një bilbili që fluturonte rrotull saj. Ndonjëherë kishte dëshirë të bëhej zog e të fluturonte në hapësirën e pafund. E kuptonte se kjo ishte një ëndërr e parealizueshme. Ndjehej e lumtur që dielli ishte zemërgjërë dhe nuk nguronte ta ngrohte e që era e ledhatonte me dashuri si një njeri të afërt. Atje tutje në parcela, lulet krekoseshin e i shisnin mend njëra tjetrës për bukurinë e tyre. Grindeshin mes tyre trëndafilë, tulipanë, bozhurë dhe lule të tjera. Sigurisht, as që dënjonin të kthenin kokën tek luledelja, për të mos thënë se e shikonin me përçmim dhe përbuzje. Një ditë të bukur të gjithë zgjatën kokën për të ndjekur fluturimin e bilbilit që sillej rrotull pa vendosur se ku do të qëndronte. Lulet ishin si në garë me njëra tjetrën e përpiqeshin të shpalosnin bukurinë e tyre. Luleshqerrës i dukej se po shikonte një spektakël. Ishte kureshtare të mësonte se kë do të zgjidhte bilbili si të preferuarën e tij.

Bilbili u rrotullua gjatë mbi lulet e mëdha por nuk qëndroi gjëkundi, as tek tulipanët, as tek trëndafilët dhe as tek bozhurët. Luledelja po habitej e nuk po i besonte vetes kur pa se zogu i bukur u ul ngadalë e qëndroi pranë saj. I dukej si një ëndërr. Nuk ishte ëndërr. E dëgjonte, cicërimën, këngën e tij. Jo vetëm kaq por ai po i fliste, po i thoshte se ishte një lule e bukur me zemër të artë. Kurrë nuk kishte dëgjuar fjalë të tilla. Gjithnjë e kishin përbuzur. Bilbili i bukur zgjati sqepin e tij dhe e puthi me ngrohtësi. Luledelja e vogël u lumturua. Bilbili këndoi dhe një këngë tjetër dhe pastaj u ringrit në fluturim. Luledelja nuk po e merrte veten nga emocionet. Kishte jetuar vërtetë një ngjarje të madhe. Ktheu kokën tek lulet në oborr. Sa të inatosura ishin dhe me sa zili e shikonin. Nuk mund ta pranonin dhe nuk e kuptonin se si luledelja që kurrë nuk e kishin përfillur, ishte preferuar nga bilbili. Luledelja u përpoq t’i buzëqeshte miqësisht, por ato kthyen kokën nga ana tjetër me përçmim. Luledelja ndjeu keqardhje nga zilia e tyre.

Pak ditë më vonë lulet e parcelave në oborr i këputën dhe të mbledhura në tufa i dërguan larg. Luledeles, prerja e tyre iu duk si një kasaphanë e tmerrshme. I vinte keq për fatin e tyre. Në mbrëmje gjumi e mori me mundim. Në ëndërr pa diellin dhe bilbilin e mrekullueshëm. Në mëngjes u përmend nga kënga e paharrueshme e tij. E njihte atë këngë por nuk e kuptonte pse tonet e gëzueshme të saj ishin shuar dhe e kishte mbuluar trishtimi. Zgjati kokën. Sa dhimbje ndjeu kur e pa të mbyllur në një kafaz. Kërkonte t’i shkonte në ndihmë por nuk dinte se si. Befas gjithçka në sytë dhe në shpirtin e saj u zymtësua.

Pak më vonë, dy djem erdhën në atë skaj të oborrit ku gjendej ajo. Kërkonin të merrnin një plis të gjelbërt për ta vendosur në kafazin e bilbilit të vogël. Mes plisit të gjelbërt ishte edhe luledelja. Djemtë menduan një çast ta këpusnin dhe ta flaknin tutje. Sa u tremb luledelja. Tanimë që jeta e saj kishte marrë një kuptim, ajo nuk dëshironte të mos ishte më. Ju e merrni me mend se kuptim jeta e saj kishte marrë që nga ai çast kur zogu i bukur e kishte çmuar si mbretëreshë bukurie. Djemtë ndryshuan mendje dhe ajo u gjend në kafazin me tela.

Ardhja e saj sikur e trishtoi edhe më shumë bilbilin. I dukej vetja si në një burg, i mungonte ajri, liria. Nuk kishte fuqi t’i shqyente telat e kafazit. Pas një farë kohe, ai u shtri i lodhur. Kishte etje dhe aty nuk kishte asnjë pikë ujë. I merrej fryma, gulçonte në ethe. Larg diellit dhe hapësirës, ndjente afrimin e diçkaje të tmerrshme; ndjente fundin e tij. Kishin ardhur çastet më të vështira dhe pikërisht atëherë, ndjeu freski rreth vetes. Luledelja ishte zgjatur dhe po e përqafonte. E pa me sy të trishtuar miken e tij më të mirë, miken e tij të vetme. Kërkonte t’i fliste por nuk fliste dot më. E shikonte në sy. Luledelja e ndjente se çfarë i thonin sytë e tij. I thoshte se fati dhe fundi i tyre ishte i përbashkët. Nga e gjithë bota i kishte mbetur vetëm luledelja, ajo që e kishte çmuar dikur si më të bukurën e botës.

Luledelja nuk dinte ç’të bënte. Edhe shpirtin e saj do ta jepte për të. Kërkonte ta mbante të gjallë, të mos shuhej. Por ishte e pamundur. Zogu i vogël e pa me sy të lotuar. U përpoq të këndonte edhe një herë këngën e asaj dite, por nuk kishte më zë. Përkuli kokën mbi lulen e vogël dhe u mbështet tek ajo. Lulja ndjente se si rralloheshin trokitjet e zemrës së tij. U rralluan gjersa nuk u ndjenë më. U përkul dhe lulja e vogël. Dhe jeta e saj nuk kishte më kuptim.

Të nesërmen në mëngjes djemtë e vegjël derdhën lot kur panë se zogu nuk jetonte më. E mbyllën në një kuti të bukur dhe e mbuluan me gjethe trëndafilash dhe lulesh të tjera të parcelave të oborrit. Plisin me luledelen e vogël e hodhën pa kujdes, si një gjë pa vlerë. Askujt nuk i shkoi ndërmend se ajo, luledelja, kishte qenë mirënjohja dhe ngushëllimi i vetëm i zogut që nuk jetonte më.

Perralle nga Andersen