franchezka-raspado-frog-ox-v3.jpg

BRETKOSA DHE KAU

Një ditë, një ka i madh po kulloste në një moçalishte, kur këmba i shkeli padashur mbi një grumbull bretkosash të vogla, të cilat i shtypi dhe i mbyti gati të gjitha.
Një bretk i vogël, që i shpëtoi katastrofës, vrapoi me shpejtësi te e ëma, për t’i rrëfyer lajmin e tmerrshëm.
“Nënë, ishte një bishë e madhe katërkëmbëshe që bëri kërdinë dhe i ka mbytur gati të gjitha motrat dhe vëllezërit e mi”, i tha bretku i trazuar.
E ëma, një bretkosë plakë budallaqe, mendoi se mund të fryhej dhe të bëhej aq e madhe sa bisha: “Sa e madhe ishte ajo bishë? Më e madhe se kaq?”, e pyeti ajo bretkun e vogël, duke e fryrë trupin e saj për aq sa mundi.
“Jo”, i tha i vogli “shumë më e madhe se sa aq!”. “Atëherë kaq?”, thirri bretkosa plakë, duke u fryrë dhe duke u stërfryrë me gjithë fuqinë e vet. “Patjetër se ishte më e madhe nënë”, ia ktheu bretku.
“Dhe kam frikë se mund të pëlcasësh pa patur mundësi që të arrish dot as gjysmën e madhësisë së bishës katërkëmbëshe". E provokuar nga përçmimi i aftësive të veta, bretkosa budallaqe bëri një përpjekje të fundit dhe natyrisht nuk mundi t’i bëj ballë gjithë atij presioni dhe pëlciti si një flluskë në ajër.
Dhe kjo përrallë e bukur, tregon se jo të gjitha krijesat mund të bëhen aq të mëdha sa mendojnë, prandaj secili duhet të jetë vetvetja e tij, dhe jo dikush tjetër.