20170505_153713.jpg

Miu i fshatit dhe miu i qytetit

Nje mi nga qyteti shkoi për vizitë tek një mik i tij që jetont në një shtëpi të vogël fshati. Nuk mund të thuhej se jetonte mes mrekullirave, por ishte i qetë e nuk e ngacmonte kush. Ai u përpoq ta nderonte sa më shumë mikun e tij. I shtroi të ngrëna e të pira nga më të mirat që kishte fshati, e njohu me fshatin dhe rrethinat e tij. Nuk ishte i pasur miu i fshatit, por kishte zemër të gjërë. Miu i qytetit e ndiqte me një nënqeshje gjatë gjithë kohës mikun e përkushtuar. Doemos, pavarsisht nga përkushtimi i mikut të tij, gjithçka e shikonte me përçmim. Kur po ndaheshin për mirësjellje e ftoi mikun e tij fshatar t’i kthente vizitën në qytet e të mësonte se në çfarë komoditetesh jetonte e çfarë jete luksi bënte.

Pas disa kohësh miu i fshatit vendosi t’i kthente vizitën mikut të tij. Ec dhe ec e u gjend në rrethinat e qytetit të madh. Pyet njërin dhe pyet tjetrin dhe më fund arriti në vilën fantastike ku banonte miku i tij.

Miu i qytetit e shëtiti në vilën e tij të mrekullueshme, në oborrin, lulishtet dhe pishinat e saj, dhe e la miun e fshatit me gojë hapur. As në ëndërr nuk kishte parë mrekulli të tilla. Erdhi koha e drekës. Tavolina ishte mbushur plot e përplot. As gostitë mbretërore nuk krahësoheshin me tavolinën që kishte shtruar miu i qytetit. Vriste mendjen miu i fshatit të kuptonte sesi kishte mundur miu i tij të krijonte një mrekulli të tillë, por nuk e gjente që nuk e gjente dot. Dhe ai shumë kishte punuar, ishte lodhur gjithë jetën, por deri aty kishte arritur, tek shtëpia e thjeshtë dhe e vogël. U afruan tek tavolina dhe miu i fshatit ishte kaq i hutuar sa nuk dinte ku dhe si të ulej. Gjithsesi e tërhoqi karriken që i tregonte miku i tij, por atë çast u dëgjua një zhurmë kërcënuese dhe që të dy kërcyen tutje me sa fuqi që kishin. Nuk gjenin një vend për t’u fshehur.

Pas një farë kohe, kur zhurmat ishin shuar, provuan të dilnin nga vendi ku ishin fshehur dhe shkuan në tavolinë. Nuk kishin shijuar akoma gjellët e shtruara kur u dëgjua një mjaullimë e tmerrshme dhe përpara tyre u shfaq macja me kthetra të frikshme. Ikën përsëri me të katra aq sa u dukej se zemra do t’u dilte nga krahërori. Edhe pse macja kishte ikur ata nuk guxonin t’i afroheshin më tavolinës. Dolën nga shtëpia. Vezullimi rreth e qark nuk kishte më vlerë.

-Miku im,- tha miu i fshatit kur po ndaheshin, – i gëzofsh të gjitha mrekullitë dhe komoditetet e tua. Unë preferoj paqën dhe qetesine e jetes sime modeste.

Kështu tha dhe u kthye në shtëpinë e tij të vogël që me shumë mund e kishte ngritur gjatë një jete të tërë.