Hirushja


Na ishte një herë një vajzë që jetonte me njerkën dhe dy bijat e saj. Jetimja e vogël, kryente të gjitha punët e shtëpisë dhe e mbulonte hiri. Nga hiri që e mbulonte e thërrisnin Hirushe. Edhe pse u mbulonte hiri, ajo ishte shumë e bukur, ndërsa vajzat e njerkës ishin edhe të shëmtuara, edhe zemër zeza.
Një ditë, i dërguari i mbretit, solli lajmin e një balloje mbretërore.
-Princi do të zgjedhë vajzën më të bukur për nuse. Të gjitha vajzat e mbretërisë janë të ftuara në ballo, -njoftonte i dërguari i mbretit.
Vajzat e njerkës filluan të bëheshin gati për në ballo. Për Hirushen kjo do të thoshte edhe më shumë lodhje. Ajo lante e hekuroste veshjet e tyre dhe i ndihmonte të bëheshin gati e të zbukuroheshin. Vajzat e njerkës besonin se do të rrëmbenin zemrën e princit.
Njerka i shoqëroi vajzat në pallatin mbretëror. Hirushja i përcolli gjer tek porta ku priste një karro e madhe. Kur ato u larguan, Hirushja mbeti si e shtangur. Balloja e princit, nuk ishte për të. Njerka i kishte kërkuar të qëndronte mbyllur në shtëpi; të pastronte hirin në vatër e të lante dyshemenë. Hirushja psherëtinte nga dhimbja dhe ndjente lotët që po i mbushnin sytë.
Hirushja u ul pranë vatrës. Ndante fasulet nga thjerrëzat e qante me zë të shuar. Në kulmin e mërzisë dhe të dhimbjes, u shfaq një zanë e kaltër. Ajo i tha Hirushes të shkonte gjer në kopsht e t’i sillte kungullin e madh rrumbullak. Hirushja vrapoi në kopsht dhe i solli Zanës, kungullin e madh. Zana rrotulloi shkopin magjik dhe kungulli u shndërrua në një karro të bukur si ato të princeshave e të princërve.
Zana preku rrobat e Hirushes me shkopin magjik. Nga prekja e shkopit magjik, rrobat e Hirushes u shndërruan në rroba të bukura si të një princeshe. Në këmbë mbante një palë këpucë të kristalta.
-Hirushja ime, mos harro të kthehesh para orës 12 të natës në shtëpi. Fiks në orën 12, do të shndërrohesh përsëri në Hirushe, -e përmendi Zana.
Zana e ngjiti lart në karro si të ishte një princeshë. Kur Hirushja hyri në pallatin mbretëror, princi shtangu nga bukuria e saj dhe ra përnjëherësh në dashuri me të. Ai e ftoi të vallëzonin bashkë. Princi vallëzoi me Hirushen gjatë të gjithë mbrëmjes.
Kur Princi po bëhej gati t’i thoshte Hirushes se çfarë ndjente, ora filloi të trokiste. Hirushja e la vallëzimin dhe vrapoi të largohej vetëtimthi. Princi i hutuar e ndoqi pas. Ndërsa largohej me nxitim, Hirushes i mbeti njëra nga këpucët e kristalta në shkallë. Princi mori këpucën në duar. Pas pak, vajza nuk do të dukej gjëkundi.
Të nesërmen Princi njoftoi se do të martohej me vajzën që do t’i vinte këpuca  e mbetur në shkallët e pallatit mbretëror. Oborrtarët shkuan shtëpi më shtëpi, por më kot. E provuan edhe dy vajzat e njerkës. Këpuca nuk ishte për këmbën e tyre. Në çastin e largimit, oborrtarët dalluan Hirushen pranë vatrës.
Oborrtarët e ftuan edhe Hirushen për të provuar këpucën e mbetur në shkallët e pallatit mbretëror. Ajo ishte për këmbën e saj e për asnjë këmbë tjetër. Vajzat e njerkës gati sa nuk plasën nga zilia. Princi u lumturua që zbuloi vajzën e ëndrrës së tij.
-Unë të dua dhe të kërkoj të martohesh me mua, -tha Princi.
-Edhe unë të dua, -tha Hirushja.
Ata u martuan dhe jetuan të lumtur.